UBT News

The Sims Mobile po i vjen fundi, EA konfirmon mbylljen e lojës

Pas gati tetë vitesh që nga debutimi në mars të vitit 2018, kompania Electronic Arts (EA) ka njoftuar se do ta mbyllë përfundimisht lojën The Sims Mobile më 20 janar 2026.

Përditësimi i fundit i lojës është publikuar këtë të hënë, ndërsa më 21 tetor loja do të hiqet nga dyqanet digjitale.

Meqë The Sims Mobile funksionon përmes serverëve online, pas mbylljes nuk do të jetë më e mundur të luhet apo të ruhet progresi.

EA ka shprehur mirënjohje për komunitetin e lojtarëve: “The Sims Mobile dhe komuniteti i The Sims janë plot kreativitet, imagjinatë dhe mirësi. Na keni mahnitur me tregimet dhe krijimet tuaja. Jemi krenarë që kemi ndarë këtë udhëtim me ju dhe kemi përgatitur disa surpriza teksa afrohemi në kapitullin e fundit të lojës.”

Gjatë muajve të ardhshëm, EA do të organizojë 14 ngjarje speciale brenda lojës, përfshirë misione me kohë të kufizuar dhe gjueti thesari.

Edhe pse tashmë nuk mund të bëhen blerje me para të vërteta, lojtarët përdorin monedhën që kanë mbledhur deri tani. Energjia e lojtarëve është bërë e pakufizuar, duke e bërë më të lehtë përfundimin e projekteve dhe shijimin e lojës në muajt e fundit.

Nga 6 janari 2026, të gjitha objektet në Build Mode dhe Create A Sim do të zhbllokohen plotësisht, në mënyrë që lojtarët të personalizojnë lirisht shtëpitë dhe personazhet e tyre “përpara se të fiken dritat”.

Mbyllja e lojës vjen në një kohë kur EA dhe studioja Maxis po përgatiten për Project Rene, projektin e ri të serisë The Sims, i cili do të jetë i disponueshëm në disa platforma, përfshirë edhe celularët.

Megjithatë, ky vendim është një lajm i hidhur për fansat që kanë investuar kohë dhe para në The Sims Mobile, si dhe për ata që shqetësohen për ruajtjen afatgjatë të lojërave online.

Në komunitetin e The Sims, veçanërisht midis fansave LGBTQ+, ka pasur reagime të përziera – sidomos në dritën e raporteve për planet e mundshme të shitjes së EA-së tek një grup investitorësh që përfshin Fondin e Investimeve Publike të Arabisë Saudite.

Në çdo rast, mbyllja e The Sims Mobile shënon fundin e një epoke për shumë lojtarë, ndërsa vëmendja tashmë po zhvendoset drejt së ardhmes së serisë me Project Rene. /A.Z/UBT News/

 

Exit mobile version