UBT News

“The Odyssey” thyen rekordin e “Furious 7”, bëhet filmi më i suksesshëm i Universal jashtë SHBA-së

Filmi “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, është bërë filmi më i suksesshëm në historinë e studiove Universal Pictures në tregjet ndërkombëtare, duke thyer rekordin e mbajtur më parë nga “Furious 7”.

Sipas Universal Pictures, të ardhurat nga shfaqja e filmit jashtë Shteteve të Bashkuara kanë tejkaluar 1.17 miliardë dollarë.

Veronika Kwan Vandenberg, presidente e shpërndarjes ndërkombëtare në Universal Pictures International, e ka cilësuar këtë rezultat si dëshmi të popullaritetit global të Nolanit dhe të ambicies së regjisorit dhe producentëve për ta sjellë në ekran epikën e Homerit.

“The Odyssey” rrëfen udhëtimin dhjetëvjeçar të Odiseut drejt shtëpisë së tij, një histori që ka frymëzuar përshtatjen e re kinematografike të Nolanit. Filmi pati hapjen më të suksesshme ndërkombëtare të karrierës së regjisorit, duke kryesuar listat e arkëtimeve në 77 vende.

Produksioni ka shënuar rezultate të larta edhe në 78 tregje, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën, Francën, Gjermaninë, Italinë, Meksikën dhe Brazilin.

Në film luajnë emra të njohur të kinematografisë, përfshirë Matt Damon, Tom Holland, Anne Hathaway, Robert Pattinson, Charlize Theron dhe Zendaya. Filmi është prodhuar nga Christopher Nolan dhe Emma Thomas përmes kompanisë së tyre, Syncopy.

Ndërkohë, Universal Pictures ka regjistruar 3.37 miliardë dollarë të ardhura ndërkombëtare gjatë vitit 2026, më shumë se çdo studio tjetër e Hollivudit. Sipas raportimit, studioja ka kaluar gjithashtu pragun prej pesë miliardë dollarësh të të ardhurave globale për këtë vit.

/A.K/

Exit mobile version