Presindeti Hashim Thaçi, thotë se edhe marrëveshja që ai ka pasur ta nënshkruajë por që nuk u bë e mundur për shkak të publikimit të propozimit për aktakuzë ndaj tij nga Gjykata Speciale, ka qenë thuajse e njëjtë me atë që nënshkroi kreyministri Avdullah Hoti, në Washintgon. Sikur t’i jepej rasti edhe Thaçi thotë se do të vepronte njëjtë si Hoti.
“Po, marrëveshja që unë kam pasur më herët ka qenë e njëjtë. Ka qenë e njëjtë 95%. Në atë marrëveshje kishte pikë për njohjen e Kosovës”, ka deklaruar Thaçi në emisionin “Open” në Top Channel.
Ndërkohë kur është pyetur se a do e pranonte heqjen e pikës 10, për të cilën edhe ai pajtohet se është hequr për shkak të Serbisë, Thaçi thotë se “Është çështje e diskutueshme. Mbetet për të punuar. Kjo marrëveshje mund të mbyllej para dy vitesh. Kjo është shtyrë për kaq kohë. E dini se çfarë akuzash kanë ndodhur. Këta njerëz, për lajmet e rrejshme duhet të kërkojnë falje”.
Ndërkohë Thaçi akuzon tërthorazi partinë Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse pa ia përmendur emrin, por e cila sipas tij është fajtore që kjo marrëveshje nuk u nënshkrua dy vjet më herët se tash. Në këtë vonim sipas presidentit ka ndikuar hedhja e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
“Në qoftë se në Kosovë nuk do të kishte parti që hedhin gaz lotsjellës, ne sot do t’i kishim liberalizuar vizat. Në qoftë se nuk do të kishim disa politikanë me mendësi tribale. E kjo marrëveshje do të ishte nënshkruar para dy viteve po në Washington nën udhëheqjen e administratës Trump”, ka deklaruar ai.
Tutje Thaçi ka mohuar se dikush i ka ofruar ish-këshilltarit për Sigurinë Kombëtare në administratën e Trumpit, John Bolton, një projekt të ndarjes së Kosovës, siç e pohon ai në librin e tij.
Pjesë e këtij debati ishte edhe analisti Andi Bushati i cili thotë se vazhdon të jetë skeptik ndaj marrëveshjes Kosovë-Serbi, duke thënë se nuk kemi të bëjmë me një marrëveshje por me një shfaqje komike.
“Ndaj termit marrëveshje unë kam rezerva. Këtu ne nuk kemi të bëjmë me një marrëveshje. Nuk kemi marrëveshje kur të gjitha palët nënshkruajnë gjëra të ndryshme dhe jo të përbashkëta. Kjo nuk është marrëveshje. Është një shfaqje komike si ato të Edi Ramës kundër fitores së Donald Trump. Me këtë po tallen të gjitha vendet duke filluar nga Rusia dhe duke përfunduar në BE. Kjo u shpall si fitore e administratës së Trump. Për sa i përket idesë së ndarjes së Kosovës, plani ka egzituar. Falë një qëndrese nga shqiptarët dhe një kundërshtimi nga aktorët e huaj nuk u realizua nga plani i ndarjes. A ka pasur një rrezik të ndarjes të Kosovës? Patjetër po. A është eliminuar ky rrezik. Besoj se po, se përndryshe në atë tryezë do të ishte marrë parasysh propozimi që dhe Presheva dhe Bujanovci ti bashkohen Kosovës. Plani i parë ka rënë edhe si pasojë e planit eVropian. Kumbari i planit, John Bolti e ka pranuar. Ishte një ide që më erdhi nga Thaçiç dhe Vuçiç. Unë mendoj që sot të gjithë ata që kanë ngritur zërin kundër ndarjes territoriale duhet të jenë të gëzuar sepse nuk ishte nja nga pikat që u diskutuan në atë tryezë”, ka përfunduar ai. /Zëri