Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është larguar nga shtëpia në Burojë të Skenderajt.
Thaçi pritet të qëndrojë dy ditë në Kosovë, në zyret e EULEX-it.
Nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u soll nga Haga në Kosovë pesë ditë pas vdekjes së babait dhe tri ditë pas varrimit.
“Te varri i yt erdha i fundit, babë”, shkroi ish-presidenti Hashim Thaçi, në kurorën të cilën e la të premten mbi varrin e babait të vet në Burojë të Skenderajt.
“Para meje erdhën mijëra qytetarë. Së shpejti, dorë më dorë, do t’i falënderoj të gjithë. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, është mesazhi i ish-presidentit.
Gjykata Speciale nuk i dha leje Thaçit të marrë pjesë në varrimi ne babait të vet të martën.
Ai mbërriti të premten më 21 mars në fshatin e tij rreth orës 11:00, me leje të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, që njihen si Gjykata Speciale.
Gjykata Speciale konfirmoi vizitën e ish-presidentit Hashim Thaçi në Kosovë, për të shkuar të varri i babait të vet si dhe për të takuar familjen e ngushtë.
“Gjatë vizitës, i akuzuari do të vazhdojë të mbahet në paraburgim dhe nën ruajtje të Dhomave të Specializuara”, tha gjykata në një deklaratë publike të premten më 21 mars.
Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor, nën akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.