Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për marrëveshjet e fundit të nënshkruara në mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington.
Thaçi ka thënë se ndihet i lumtur që pas përpjekjeve dhe punës së përbashkët me presidentin Trump, këto përpjekje kanë arritur të konkretizohen.
“Në të gjitha takimet që kam zhvilluar në këto katër vite me presidentin Trump, më ka folur për Kosovën si një vend i mrekullueshëm.
Ndihem i lumtur dhe krenar që pas përpjekjeve dhe punës së përbashkët për më tepër se 2 vite me administratën e presidentit Trump dhe përkushtimin e emisarit Grenell arritëm që në Shtëpinë e Bardhë të formalizohen këto përpjekje”, tha Thaçi, transmeton Telegrafi.
Presidenti Thaçi tha se kjo ishte ndërmarrja diplomatike më serioze e SHBA-ve në këto dy dekada për Ballkanin Perëndimor.
“Gjatë këtij procesi jo të lehtë, shumë të vështirëm hasëm në vështirësi, akuza, pengesa ,konspiracione të shumta nga shumë anë. Me formalizmin e marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë të gjitha këto u treguan të rrejshme dhe të pa qëndrueshme. Zhvillimi ekonomik, rritja e vendeve të punës, projektet infrastrukturore, linjat ajrore, hekurudhore e autostradat, kanë qenë gjithmonë prioritet për Kosovën sikurse edhe çështja e të pagjeturave dhe kthimi i të zhvendosurve në shtëpitë e tyre”, u shpreh Thaçi.
Ai shtoi se synimi përfundimtar i Kosovës është paqja dhe stabiliteti i qëndrueshme në tërë rajonin e Ballkanit dhe jeta në prosperitet dhe dinjitet për qytetarët e vendit.
Thaçi theksoi se Kosova beson në lidershipin e SHBA-ve dhe vizionin e Uashingtonit.
Ai kërkoi nga spektri politik të krijojnë unitet, dhe që të vazhdojnë të punojnë për konsolidimin e Kosovës si në rrafshin e brendshëm por edhe atë të jashtëm. /Telegrafi/