UBT News

Thaçi nuk lejohet të shkojë në varrimin e babait, ministrja Haxhiu: Vendim absurd

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar kundër vendimit të Gjykatës Speciale, i cili nuk lejon ish-presidentin Hashim Thaçi të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, duke e quajtur absurde.

Ajo ka shkruar në Facebook se proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta e të bazuara mbi respektimin e të drejtave më elementare njerëzore.

Nuk ka gjë më njerëzore sesa të marrësh pjesë në varrimin e prindit. Andaj, krejt absurde nga ajo që kuptuam nga mediat se ish-presidentit Thaçi nuk i është dhënë leja për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babës. Lidhur me këtë vendim të padrejtë do t’i shkruaj kryetares së Dhomave të Specializuara”, ka shkruar ajo.

Kundër vendimit të Speciales ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Organizata e Veteranëve të luftës së UÇK-së.

Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka vdekur të dielën në orët e vona. Nesër, që nga mëngjesi në Skenderaj do të ketë homazhe dhe një mbledhje komemorative, e cila mbahet në orën 12:00. Kurse, varrimi i babait të ish-presidentit Thaçi bëhet në orën 15:00, në fshatin Burojë të Skenderajt.

Exit mobile version