UBT News

Thaçi: Njohja reciproke të jetë pika e parë e marrëveshjes finale me Serbinë

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi priti sot në takim emisarin special të BE-së, Miroslav Lajçak. Pas takimit, Thaçi në një konferencë për media deklaroi se takimi me Lajçakun ka qenë një takim korrekt dhe miqësor për gjetjen e mundësive për arritjen e marrëveshjes me njohje reciproke si dy shtete të pavarura dhe me mundësinë që Kosova të anëtarësohet në OKB.

Thaçi ka kërkuar nga BE-ja të lëvizë përpara liberalizimit të vizave.

“Vazhdoj të besojë fuqishëm që e ardhmja e vetme e Kosovës është që të jetë pjesë e NATO-s dhe e BE-së. Dhe në këtë drejtim BE-ja duhet të lëvizë sa më shpejt sepse është vonuar shumë dhe po mendoj se po i bëhet një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës kur dihet se janë implementuar në tërësi të gjitha kriteret”, deklaroi Thaçi mes tjerash.

Presidenti deklaroi se ka ardhur momenti që BE-ja ta hedh në tavolinën e bisedimeve marrëveshjen për njohje reciproke.

“Njohja reciproke duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes, çështjet tjera vijnë më lehtë, e jo që të vazhdojmë me çështje tjera teknike. Dua të besojë që vetëm njohja reciproke me standardet e përcaktuara në kornizën e marrëveshjes eventuale që mund të arrihet, mund të jetë mundësi e mirë dhe mundësia e vetme që siguron stabilitetin në rajon, fqinjësinë e mirë mes shteteve tona, e mbi të gjitha garanton të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë.”, deklaroi më tej presidenti Thaçi./UBTNews

Exit mobile version