UBT News

Thaçi ndan “Urdhrin e Lirisë” për presidentin Trump, e fton ta vizitojë Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ndarë “Urdhrin e Lirisë” për presidentin amerikan, Donald Trump dhe e ka ftuar atë ta vizitojë Kosovën.

Presidenti Thaçi ia ka ndarë këtë mirënjohje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, në arritjen e paqes, pajtimit dhe prosperitetit ekonomik.

“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për kontributin tuaj personal në arritjen e marrëveshjes për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje është përparim i rëndësisë së jashtëzakonshme për përmbylljen e konfliktit shekullor mes popujve tanë. Pas dekadash bllokade dhe stagnimi në negociata, falë udhëheqjes tuaj të guximshme e arritëm këtë marrëveshje historike.
Populli i Kosovës mbetet përjetësisht mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës – shpëtimtares sonë që në ditët tona më të errëta na qëndroi pranë dhe vazhdon edhe sot.”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Zyrës së Presidentit.

Presidenti i Kosovës shton se ‘marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nuk do të kishte qenë e mundur pa energjinë, synimin e qartë, dhe angazhimin direkt, të palëkundur dhe besnik të këshilltarit tuaj për siguri kombëtare, Robert O’Brien dhe të dërguarit tuaj special, ambasadorit Richard Grenell’.

Thaçi e ftoi presidentin Trump ta vizitojë Kosovën.

“Në emër të popullit të Kosovës, kam kënaqësinë t’ju ftoj që ta vizitoni Kosovën dhe të bindeni për progresin që ju e keni bërë të mundur. Do të ishte nder i madh t’ju mirëpres dhe t’ju prezantoj popullin më pro-amerikan në botë”, shton më tej Thaçi./UBTNews


Exit mobile version