UBT News

Thaçi dhe të tjerët mbesin në paraburgim

Gjykata Speciale nuk e ka pranuar kërkesën e avokatëve për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së. Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka vendosur që veç e veç, të gjithë të të akuzuarve t’ua refuzojë kërkesat për lirim të përkohshëm me kusht.

Në parashtresat e kryeprokurorit special, Jack Smith, janë renditur argumentet se pse ish-krerët e UÇK-së, sipas organit të akuzës, duhet të vazhdojë të qëndrojnë në paraburgim. Prokuroria ka përmendur edhe mundësinë e dënimit të disa prej tyre me burgim të përjetshëm, si një prej arsyeve se pse sipas tyre ata nuk duhet të lirohen as përkohësisht.

Smithi në të gjitha parashtresat ka pretenduar se ekziston rreziku që ish-pjesëtarët e UÇK-së të arratisen, të ndikojnë në dëshmitarë ose ta kryejnë ndonjë krim.

Organi i akuzës në Hagë ka pretenduar se kriteret për t’i mbajtur në paraburgim ish-krerët e UÇK-së janë përmbushur dhe se këto kritere “nënvizojnë seriozitetin e rreziqeve të paraqitura”. Sipas Prokurorisë, “asnjë masë alternative nuk adreson sa duhet këto rreziqe”.

Prokuroria në parashtresat kundër të akuzuarve po ashtu thekson pretendimin e saj se ekziston një klimë e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë, të cilët thuhet se ish-krerët e UÇK-së kanë mundësi që t’i heshtin.

ZPS është ankuar se si organ i akuzës nuk kanë burime për t’i mbikëqyrur ish-krerët e UÇK-së nëse ata do të liroheshin përkohësisht. Është përmendur edhe mandati i EULEX-it, ndërsa kryeprokurori Smith ka konsideruar se “autoritetet e Kosovës janë të kufizuara në aftësinë e tyre për ta mbikëqyrur një të akuzuar”.

Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, ishte i pari nga ish-anëtarët e UÇK-së që u arrestua dhe transferua në paraburgimin e Gjykatës Speciale, më 24 shtator të vitit të kaluar. Ai akuzohet për një sërë veprash që cilësohen si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.

Dy ditë më vonë u arrestuan edhe dy ish-krerët e OVL-së së UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj. Ata akuzohen për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Të fundit që u arrestuan dhe u dërguan në Hagë ishin katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi.

Më 4 nëntor 2020, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Exit mobile version