UBT News

Tetë vjet nga marrëveshja e parë Kosovë-Serbi

Shtatë pika të zbatuara, dy pjesërisht dhe gjashtë të pazbatuar.

Tetë vite pas arritjes së Marrëveshjes së Parë të Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë me 19 prill 2013 në Bruksel, shtatë pika të kësaj marrëveshje janë zbatuar, dy pika janë zbatuar pjesërisht, ndërsa gjashtë pika të marrëveshjes ende nuk janë zbatuar.

Kështu thuhet në një raport të Institutit Demokratik të Kosovës në tetë vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.

KDI thekson se nga Marrëveshja e 19 prillit kanë derivuar edhe një sërë marrëveshjesh tjera të dialogut për çështje si mbledhja e të hyrave doganore, energjia, telekomi, drejtësia, shpërbërja e mbrojtjes civile dhe asociacioni.

“Kjo e fundit është edhe çështja kryesore e Marrëveshjes së 19 prillit, e cila ende mbetet e pazbatuar. Që nga arritja e marrëveshjes specifike për këtë temë në gusht të vitit 2015 dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, qeveritë e njëpasnjëshme në Kosovë kanë ndërmarrë hapa për zbatimin e kësaj marrëveshje”.

Sipas raportit të KDI-së, ish qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa kishte krijuar Ekipin Menaxhues në vitin 2016, i cili kishte për detyrë hartimin e statutit të Asociacionit. Pasi statuti nuk ishte përfunduar gjatë asaj periudhe, qeveria pasardhëse e udhëhequr nga Ramush Haradinaj sërish kishte aktivizuar këtë ekip.

Njoftimet zyrtare të kësaj qeverie kanë qenë se Ekipi nuk ka dorëzuar statutin në Qeveri dhe se nuk dihet nëse i njëjti i është dorëzuar Brukselit.

Çështja e Asociacionit është riaktualizuar si temë edhe gjatë qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

“Pas takimeve të mbajtura në Bruksel në kuadër të diskutimeve mbi elementet e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, pala serbe kishte kërkuar që çështja e Asociacionit të diskutohej, ndërsa pala kosovare nuk kishte pranuar një gjë të tillë. Në anën tjetër Bashkimi Evropian si lehtësues i procesit të dialogut, ka kërkuar që Kosova të gjejë modalitete për themelimin e Asociacionit duke mos e qartësuar se çfarë do të thotë saktësisht kjo”.

Sipas Institutit Demokratik të Kosovës me rënien e Qeverisë Hoti në fund të vitit 2020 mbeti e paqartë se si do të procedohej tutje me këtë çështje, ndërsa pas zgjedhjeve të reja qeveria e re tani udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

Ky i fundit nuk e ka bërë të qartë se cila do të jetë qasja e Qeverisë ndaj dialogut në përgjithësi, përveç se ka deklaruar se do të jetë një qasje ndryshe ndaj këtij procesi dhe se dialogu nuk është prioritet i qytetarëve.

“Ajo që është e qartë është që tema e dialogut do të jetë sfidë edhe për Qeverinë e re, e cila duhet që sa më parë të artikulojë një qëndrim të qartë ndaj temave të dialogut dhe marrëveshjeve tashmë të arritura, duke përfshirë edhe Marrëveshjen e 19 prillit, e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në këtë raport.

Për raportin e detajuar kliko këtu: /Telegrafi/

Exit mobile version