UBT News

Tetë persona nën dyshimin për kalim ilegal të kufirit në tri raste të ndara

Policia e Kosovës ka raportuar për tri raste të dyshuara të kalimit ilegal të kufirit, të regjistruara më 16 nëntor në Kamenicë, në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë dhe në Bërnjak.

Në fshatin Novosellë të Kamenicës, policia ka ndaluar një veturë me targa të huaja, në të cilën ndodheshin tre shtetas të Serbisë, dy gra dhe një burrë. Ata dyshohet se kishin hyrë nga territori i Serbisë në Kosovë jashtë vendkalimit kufitar. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, rreth orës 19:30, është ndaluar një shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili dyshohet se kishte hyrë ilegalisht nga territori i këtij shteti në Kosovë. Rasti është proceduar në procedurë të rregullt.

Rasti i tretë është regjistruar në Bërnjak, rreth orës 23:00, ku policia ka ndaluar një veturë me targa serbe, në të cilën ndodheshin pesë persona. Katër prej tyre, dy gra dhe dy burra shtetas të Kosovës, dyshohet se kishin hyrë ilegalisht nga territori i Serbisë. Pas intervistimit, rasti është proceduar në procedurë të rregullt./A.K/

Exit mobile version