UBT News

Tetë gota ujë në ditë ndihmojnë shëndetin e zemrës për dekada

Konsumimi i tetë gotave ujë në ditë është një rekomandim i vjetër, i cili sipas mjekëve garanton shëndetin e të gjithë trupit. Por tani një studim i ri ka zbuluar se pirja e një sasie të mjaftueshme të ujit e parandalon jo vetëm dehidratimin e trupit, por mund ta garantojë njashtu edhe shëndetin e zemrës për madje dekada më vonë.

“Studimi ynë sugjeron se një hidratim i mirë mund të parandalojë ose të paktën të ngadalësojë ndryshimet brenda zemrës, të cilat mund të çojnë pastaj në probleme të rënda që shkaktojnë atak apo arrest kardiak”, ka thënë autorja e studimit, Natalia Dmitrieva, nga Instituti Kombëtar i Zemrës, Mushkërive dhe Gjakut, pjesë e Instituteve Kombëtare të Shëndetit në Francë.

“Të dhënat tregojnë se duhet që t’i kushtojmë vëmendje të theksuar sasisë së lëngjeve që konsumojmë përditë dhe të ndërmarrim veprime nëse zbulojmë se pimë shumë pak”, ka shtuar ajo, kanë raportuar mediat britanike.

Ekspertët kanë rekomanduar gjithashtu që gratë të pinë 6 deri në 8 gota ujë çdo ditë.

Për meshkujt, shifra është 8 deri në 12 gota në ditë. Pavarësisht kësaj këshille, sondazhet kanë zbuluar se shumë njerëz nuk janë as afër arritjes së kësaj norme.

Autorët e studimit kanë shtuar se analiza e nivelit të sodiumit në gjak u siguron shkencëtarëve një njësi matëse të saktë që tregon se sa në të vërtetë është i hidratuar një person.

Kur njerëzit pinë më pak ujë, përqendrimi i sodiumit në trupat e tyre rritet. Trupi i njeriut reagon ndaj kësaj, duke u përpjekur që ta ruajë sasinë e ujit dhe duke shkaktuar procese biologjike që shkaktojnë probleme serioze në zemër.

“Është e natyrshme të mendohet se niveli i hidratimit dhe i sodiumit ndryshojnë çdo ditë, në varësi të sasisë së ujit që pimë në ditë. Gjithsesi, përqendrimi i sodiumit mbetet brenda një kufiri të ngushtë për periudha të gjata, gjë që ka të ngjarë të lidhet me konsumin e zakonshëm të lëngjeve”, ka shpjeguar mjekia Dmitrieva.

Studiuesit i ekzaminuan nivelet e sodiumit nga mesi i 15,792 të rriturve, të cilët kanë marrë pjesë në studimin e Rrezikut të Atherosklerozës në Komunitete (ARIC). Të gjithë pjesëmarrësit ishin të moshës midis 44-66-vjeçare.

Autorët e studimit regjistruan gjurmët e hidratimit të secilit person dhe trashjen e mureve të barkushes së majtë të zemrës, që është dhoma kryesore e pompimit. Kjo lloj trashjeje (ose hipertrofi e ventrikulit të majtë), është një pararendës i zakonshëm i dështimit të funksionimit të zemrës.

Studimi ka zbuluar gjithashtu për përqendrim më të lartë të sodiumit gjatë moshës së mesme dhe kjo ka treguar për një lidhje me dështimin e funksionimit të zemrës dhe hipertrofinë e ventrikulit të majtë më vonë gjatë jetës.

Për më tepër, studiuesit kanë zbuluan se çdo rritje prej 1 mmol/l në përqendrimin e sodiumit e rrit për 1.2 për qind mundësinë për të zhvilluar hipertrofi të ventrikulit të majtë dhe për 1.11 për qind gjasën për të vuajtur nga problemet e zemrës.

Exit mobile version