Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të mërkurën po e vazhdon dëshminë dëshmitari Rrustem Tetaj në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Tetaj tha se nëse flet për Veselin dhe Krasniqin vetëm mund të bëjë spekulime, ngase ata dy nuk i ka parë kurrë gjatë luftës.
Këto deklarime, Tetaj, i cili është dëshmitari i84-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i bëri duke u përgjigjur në pyetjet e avokates së Veselit, Annie O’Reilly.
“Unë Kadri Veselin jashta në televizor edhe sot që po e shoh qitu se kurrë nuk e kam pa edhe masi nuk e kam pa dhe nuk ka qenë në zonën e luftës, ju lutem unë nuk di se çka ka me thanë për ta. Këta e kam deklaru edhe para Prokurorisë. Vetëm për Hashim Thaçin që jam taku me të dhe Rexhep Selimin në Jabllanicë e ato që i kam fol përpara, unë për Jakupin dhe Kadri Veselin vetëm se çka spekuloj se nuk kam ni”, tha dëshmitari.
Në fillim të seancës, i përfundoi kundërpyetjet e tij avokati i Thaçit, Luka Mishetiq i cili u fokusua sërish tek takimi i Tahir Zemajt me Thaçin, Bislim Zyrapin e persona të tjerë, ku ua ishte kumtuar emërimi i Ramush Haradinajt në pozitën e komandantit të zonës.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, të pranishëm në sallën e gjyqit janë të gjithë të akuzuarit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi/