Gjenerali i lartë amerikan ka thënë se testimi (i dyshuar) i raketës hipersonike të Kinës është afër një momenti të Sputnik, duke iu referuar kështu lëshimit të satelitit sovjetik që ndezi garën e armëve të Luftës së Ftohtë, transmeton UBT News.
Kryetari i Shefit të Shtabit të Përbashkët, Mark Milley, në një intervistë me Bloomberg News tha se ushtria kineze ishte “duke u zgjeruar me shpejtësi”.
Megjithatë Pekini mohon akuzat se ka testuar këtë lloj rakete, duke thënë se ishte një anije kozmike.
“Ajo që pamë ishte një ngjarje e dukshme e një testimi të një sistemi të armëve hipersonike, dhe është shumë shqetësuese”, tha gjenerali Milley për Bloomberg.
“Nuk e di nëse është një moment i vërtetë Sputnik, por mendoj se është shumë afër kësaj”.
Komenti i tij është pranimi i parë zyrtar nga ShBA rreth pretendimeve se Kina kreu dy teste raketash gjatë verës. Raportet tregojnë se ajo ishte një raketë me aftësi bërthamore.
Lansimi i Sputnik në vitin 1957 tronditi amerikanët, të cilët kishin frikë se sovjetikët po ecnin përpara në aftësinë teknologjike, shkruan BBC, përcjell UBT News.
Kjo e nxiti presidentin e atëhershëm, John F. Kennedy, të deklaronte se ShBA do të zbarkonte njerëz në Hënë.
Ndërsa zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, refuzoi të komentojë komentet e gjeneralit, duke thënë se: “Kjo nuk është një teknologji e huaj për ne”. Ai shtoi se vendi është duke punuar për të forcuar sistemet e mbrojtjes dhe për të ndjekur aftësitë e veta hipersonike.
Raketat hipersonike janë të afta të udhëtojnë me pesë herë shpejtësinë e zërit. Ato konsiderohen më të afta për të shmangur përgjimin nga mbrojtja ajrore.
Javën e kaluar ShBA kreu tri testime raketash hipersonike në një objekt të NASA-s në Virxhinia.
Testimet do të përdoren për të “informuar zhvillimin” e raketave të ardhshme hipersonike, sipas zyrtarëve amerikanë./UBTNews/