UBT News

Testimi i qarkores njëkahëshe, reagon KMDLNj

Testimi i sotëm i shndërrimit të unazës qendrore të Prishtinës në qarkore njëkahëshe për automjetet, ka nxitur reagime të shumta për shkak të kaosit të krijuar në kryeqytet.

“Eksperiment të çmendur” e ka quajtur këtë edhe Këshilli për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNj). Për KMDLNj–në është e arsyeshme që këto kufizime të zbatohen gjatë fundjavës dhe ditëve të festave, por në asnjë mënyrë ditëve të punës.

Sipas këtij këshilli, Komuna e Prishtinës duhet sa më parë të ndërpresë këto praktika të mbrapshta sepse, edhe ashtu, mjaftueshëm është duke i shkelur të drejtat e njeriut përkatësisht lirinë e lëvizjes.

“Të bësh eksperiment në ditën më të ngarkuar të javës (dita e premte) nuk mund të interpretohet ndryshe përveç se një veprim jashtë çdo logjike apo kontribut për shkaktim të qëllimshëm të kaosit në trafik. Prishtina, edhe ashtu këto rrugë që alkimistët e injorancës po i bllokojnë thuaja tërësisht, i ka dy arteriet kryesore që e bartin peshën e trafikut në qytet prandaj është papërgjegjësi e madhe t’i nënshtroni qytetarët një stresi të tillë duke ua kufizuar maksimalisht lirinë e lëvizjes dhe duke shkaktuar çrregullime në të gjitha segmentet e jetës”, thuhet në komunikatë.

Sipas KMDLNj-së, Komuna e Prishtinës nuk ka ofruar asnjë zgjidhje, për çka vlerëson se kjo e fundit duhet të ndërpresë këto eksperimente jonormale, ose duhet të kërkohet përgjegjësi për projektuesit dhe zbatuesit e kaosit në trafik.

“Paramendoni nëse dikush, për shkaqe shëndetësore ka nevojë që të shkojë urgjentisht te mjeku apo që autoambulanca e ndihmës së shpejtë duhet të shkojë në një adresë ku një i sëmurë ka nevojë për intervenim urgjent dhe ku jeta e tij matet me minuta e jo me orë? Kush e merr përgjegjësinë për këtë?! Personat e papërgjegjshëm, sigurisht jo sepse, në të kundërtën nuk do të vepronin siç po veprojnë. Sa i punësuar është vonuar për punë apo nxënësi për shkollë për shkak të këtij eksperimenti të çmendur… Ky kaos krijon një situatë tensionuese, më shumë aksidente sikur edhe ngatërresë midis vozitëve, nga fyerjet verbale e deri te përleshjet fizike. Policia e Kosovës, në këtë rrethana është krejtësisht e pafuqishme për të vendosur rregull në trafik. Këtij kaosi i ndihmon shumë edhe reduktimet e rrymës që lënë jashtë përdorimit semaforët dhe as për këtë komuna e Prishtinës nuk ka bërë zgjidhje. Prishtina nuk ka metro, në këto rrethana edhe qarkullimi i mjeteve të trafikut urban është i kufizuar duke shkaktuar probleme zinxhirore”, thuhet po aty.

KMDLNj rekomandon Komunën e Prishtinës të kujdeset që të mos lejojë automjetet e rënda që të frekuentojnë rrugët kryesore, të cilat sipas këshillit, përveç dëmeve që i shkaktojnë asfaltit dhe infrastrukturës rrugore, jashtëzakonisht e rëndojnë lëvizjen e veturave tjera.

“Ky eksperiment i vë në situatë të rëndë edhe banorët të cilët, për shkak të kufizimeve që prodhon ky eksperiment, nuk mund të lëvizin me automjetet e tyre, as për të shkuar në punë e as për përmbushje të nevojave tjera”, thuhet në reagim. 

Exit mobile version