Një studim i ri nga klinika prestigjioze Mayo në SHBA sugjeron se një test gjaku i zhvilluar së fundi mund të zbulojë me 95% saktësi problemet me kujtesën, përkatësisht shenjat e hershme të sëmundjes së Alzheimerit, duke analizuar dy proteina të caktuara në plazmën e gjakut
Sipas raportimit të “The Guardian”, testi paraqet hap revolucionar në diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundjeje neurodegjenerative, që prek miliona njerëz në mbarë botën.
Hulumtimi u realizua me 500 pacientë në klinikë të kujtesës, duke reflektuar të dhëna nga jeta reale e jo vetëm nga laboratorë të kontrolluar. Testi mori miratimin nga Administrata Amerikane e Ushqimit e Barnave për përdorim klinik.
Si funksionon testi?
Testi analizon dy proteina kyçe në plazmën e gjakut, amyloid beta 42/40 dhe p-tau217, të cilat lidhen me akumulimin e pllakave amiloide në tru, një nga shenjat kryesore të sëmundjes së Alzheimerit. Nivelet e larta të p-tau217 u panë veçanërisht te pacientët me Alzheimer, duke ofruar një tregues të qartë të pranisë së sëmundjes.
Dr. Gregg Day, drejtues i studimit, tha: “Rezultatet e testit të gjakut janë të krahasueshme me ato të testeve më invazive si analiza e likidit cerebrospinal, por janë shumë më të përshtatshme dhe më pak të kushtueshme për pacientët”.
Përfitime të mëdha për diagnostikimin dhe trajtimin
Ky zhvillim përfaqëson një hap të madh para në fushën e diagnozës së demencës, veçanërisht në një kohë kur pacientët vonohen në marrjen e një diagnoze të saktë për shkak të testimeve të shtrenjta, të ndërlikuara dhe shpesh invazive.
Dr. Richard Oakley nga Shoqata për Alzheimerin në Mbretërinë e Bashkuar vlerësoi rezultatet, duke theksuar se testi përdoret së bashku me vlerësime tjera nga profesionistë të shëndetit për të ndihmuar në diagnostikimin e saktë:
“Këto teste e bëjnë procesin më të shpejtë, më të thjeshtë dhe më të qasshëm për pacientët, por kërkohen ende studime në grupe më të ndryshme të popullsisë dhe në kushte të përditshme klinike.”
Synimi: aplikimi në sistemin shëndetësor publik deri më 2029.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Blood Biomarker Challenge, një program kërkimor prej disa milionë paundësh i mbështetur nga Alzheimer’s Society, Alzheimer’s Research UK dhe National Institute for Health and Care Research, ka për qëllim që testet e gjakut për diagnozën e demencës të jenë pjesë e sistemit shëndetësor publik (NHS) deri më 2029.
Dr. Julia Dudley, drejtore e kërkimeve në Alzheimer’s Research UK, shtoi: “Kjo është dëshmi tjetër se testet e gjakut mund të ndihmojnë në zbulimin e hershëm të sëmundjeve që shkaktojnë demencë dhe se jemi më afër një diagnostikimi më të shpejtë dhe më të saktë, një hap kritik drejt trajtimeve më të efektshme dhe, në të ardhmen, një kurë të mundshme.”