Shkencëtarët po punojnë për një metodë revolucionare diagnostikimi: një test gjaku që mund të zbulojë deri në 50 lloje të ndryshme të kancerit, madje para se të shfaqen simptomat, raporton USA Today.
Testi, i quajtur Galleri MCED (Multi-Cancer Early Detection), është një lloj “biopsie e lëngshme” që analizon ADN-në dhe proteinat që qarkullojnë në gjak për të identifikuar shenjat e hershme të zhvillimit të tumoreve.
Me ndihmën e inteligjencës artificiale, ai mund të tregojë edhe vendndodhjen e mundshme të kancerit në trup.
“Qëllimi është të kapim kancerin përpara se të ketë dhënë shenja klinike,” shpjegojnë studiuesit që po zhvillojnë këtë test.
Pas marrjes së një mostre gjaku, laboratorët përdorin teknologji të avancuar për të analizuar ADN-në. Nëse zbulohen anomali, ato lidhen me lloje të caktuara të kancerit, duke ndihmuar mjekët të zgjedhin trajtime më të synuara dhe efektive.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë në SHBA, asnjë test MCED nuk është ende i miratuar nga FDA, por disa prej tyre përfshirë Galleri kanë marrë statusin “Breakthrough Device Designation”, që përshpejton procesin e vlerësimit për shkak të potencialit të madh që kanë në shpëtimin e jetëve.
Ky inovacion, nëse miratohet, mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën si zbulohet dhe trajtohet kanceri në të ardhmen. /A.Z/UBT News/
