UBT News

Testi i ri i gjakut mund të ndihmojë në zbulimin e hershëm të kancerit

Kur mori diagnozën, tashmë ishte tepër vonë. Kanceri ia kishte ngrënë pankreasin pacientit dhe i ishte përhapur në organet fqinje. Kirurgjia nuk ishte më një opsion. Katër muaj më vonë, në moshën 31-vjeçare, i riu nga Gjermania vdiq.

Edhe pse trajtimi i kancerit është përmirësuar vitet e fundit, terapia shpesh dështon sepse tumoret zbulohen shumë vonë. Sidomos në një fazë të hershme, simptomat si dhimbja e stomakut ose lodhja janë të paidentifikueshme. Prandaj pacientët shkojnë te mjeku vetëm kur sëmundja është e vështirë apo e pamundur për t’u trajtuar.

Një analizë gjaku e quajtur Galleri synon të ndryshojë këtë rrëfim. Zhvilluesit nga kompania amerikane e kujdesit shëndetësor Grail thonë se ky test mund të zbulojë më shumë se 50 lloje të ndryshme kanceri në një mostër të thjeshtë gjaku. Në fillim të këtij muaji, shkencëtarët prezantuan rezultatet nga një studim Galleri në konferencën më të madhe të kancerit në botë, takimin vjetor të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike (ASCO).

Ekipi hulumtues, i udhëhequr nga shkencëtarët nga Universiteti i Oksfordit, kanë përdorur testin në më shumë se 5 mijë e 400 pacientë që shfaqnin simptoma kanceri. Para marrjes së ekzaminimit standard diagnostik, pacientët kanë dhënë edhe një mostër gjaku për vlerësim me testin Galleri. Në dy nga tre pacientë që u diagnostikuan përfundimisht me kancer përmes diagnostikimit standard, testi i gjakut zbuloi gjithashtu një sinjal kanceri.

Shumë studiues dhe klinicistë janë mëse të lumtur për idenë e një testi gjaku që mund të ndihmojë në zbulimin e hershëm. Kur kanceri zbulohet herët, para se të përhapet, shkalla e mbijetesës së pacientëve është shumë më e lartë se kur sëmundja diagnostikohet në fazat e mëvonshme./UBTNews/

Exit mobile version