Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM) bënë të ditur se, 26.669 maturantë të shtunën, më 29 gusht do t’i nënshtrohen Testit të Maturës, i cili do të fillojë në ora 10:00 dhe do të përfundojë në ora 12:30.
Testi i Maturës do të organizohet në 184 qendra të testimit, në 30 komuna të Kosovës dhe për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar 2.568 administrues, 570 komisionerë, 570 mbikëqyrës dhe nga 3 mësimdhënës në secilën qendër.
“Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, Testi i Maturës do të organizohet duke respektuar masat mbrojtëse të rekomanduara nga institucionet e shëndetësisë, ku në secilën klasë numri maksimal do të jetë 12 nxënës”, thuhet në njoftim.Lexo po ashtu:Mbi 26.000 maturantë të shtunën i nënshtrohen Testit të Maturës, MASH-i thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet
Maturantët duhet të arrijnë në oborrin e qendrës se testimit nga ora 8:30 deri në orën 9:00. Nga ora 9:00 deri në 9:30 ata do të sistemohen në klasa, dhe pas vendosjes në klasa, deri në ora 10:00 do të bëhet ofrimi i udhëzimeve rreth testit dhe ofrimi i fletë përgjigjeve nga ana e administruesve.
Siç bëhet e ditur ditën e testimit, u ndalohet hyrja nëpër qendra të testimit të gjithë personave që nuk janë pjesë e këtij procesi.
Ndërsa, mediet mund të kenë qasje nëpër qendra të testimit, në koordinim me komisionin e qendrës së testimit, deri në orën 09:30. /Telegrafi/