UBT News

Tërmet i fuqishëm prej 7.4 shkallësh në Indonezi

Një tërmet i fuqishëm prej 7.4 shkallësh të Rihterit u regjistrua përtej brigjeve të provincës jugore të Indonezisë, Sulawesi Jugor, duke bërë që njerëzit të largoheshin nga shtëpitë dhe banesat nga frika.

Tërmeti ndodhi rreth orës 10 e 30 minuta të paradites të martën, sipas kohës lokale, në Detin Flores. Zyrtarët thanë se dridhja e preku rajonin e Nusa Tenggara-s Lindore, shkruan BBC.

Deri më tani nuk janë raportuar lëndime ose dëme të konsiderueshme, por banorët thanë se kanë ndier dridhje të mëdha.

Videot në rrjete sociale shfaqën njerëz në qytetin Makassar duke vrapuar për të dalë jashtë ndërtesave e dyqaneve. Ka raportime se një spital dhe një hotel janë evakuuar.

“Secili ishte i tmerruar. Vraponin nga shtëpitë. Disa ishin të gatshëm për të vrapuar drejt kodrave”, tha për BBC-në në Indonezi një banor i quajtur Takdir.

Megjithatë, ai shtoi se shumica e njerëzve i janë kthyer aktivitetit normal dhe se nuk ka shenja për cunami.

Ky tërmet ndodhi vetëm dhjetë ditë pas shpërthimit të vullkanit Mount Semeru në ishullin Java, duke lënë të vdekur së paku 46 persona.

Exit mobile version