UBT News

Tërhiqemi! Holanda dëshiron të dalë nga sistemi i BE-së për azilin

Holanda, nën një koalicion të djathtë prej katër partish, ka nisur një ofensivë për të zbatuar një politikë shumë më të rreptë për azilin. Ministrja për Azilin, Marjolein Faber, shpalli se qeveria holandeze ka dorëzuar një kërkesë në Komisionin e BE-së për të tërhequr vendin nga rregullat e BE-së që rregullojnë politikën e azilit.

Ajo theksoi në platformën X: “Ne duhet të vendosim përsëri vetë për politikën tonë të azilit.”

Sipas ministres, qeveria ka për qëllim “ta reduktojë në mënyrë drastike” numrin e azilkërkuesve dhe emigrantëve të parregullt në vend. Ajo argumentoi se ky veprim është i nevojshëm për të përmbushur detyrat kushtetuese të Holandës, si sigurimi i strehimit, kujdesit shëndetësor dhe arsimit për qytetarët.

Në këtë kontekst, mbreti i Holandës, Willem-Aleksander, njoftoi një politikë “më të shpejtë” dhe “më të rreptë” azili në një fjalim tradicional mbretëror. Ai shprehu shqetësimin se emigracioni po ushtron “presion ndaj mënyrës sonë të bashkëjetesës”, duke theksuar nevojën për të adresuar çështjet e azilit me një qasje më strikte.

Megjithatë, sipas ekspertëve, duket e pamundur që Holanda të ketë sukses me këtë kërkesë drejtuar Brukselit. Për të arritur një “opt-out” nga rregullat e BE-së, nevojitet miratimi nga të gjitha 27 vendet anëtare. Në vitin 2023, këto vende arritën një marrëveshje për reformimin e sistemit të azilit në mbarë BE-në (CEAS), duke e bërë më të vështirë që një vend të dalë nga vendimet e përbashkëta.

Pritet që Komisioni i BE-së të mbajë një qëndrim kritik ndaj planeve të qeverisë holandeze, duke nënvizuar se largimi i një vendi nga rregullat e përbashkëta mund të dëmtojë stabilitetin e të gjithë Bashkimit Evropian. Kjo situatë tregon se politika e azilit mbetet një çështje delikate dhe e diskutueshme për shumë vende të BE-së./UBTNews/

 

Exit mobile version