Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen në seancë të re e cila pritet të fillojë në ora 10:00. Përpos pikave të zakonshme që janë dekalrimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare, do të shqyrtohen edhe katër pika të tjera.
Në rend dite është edhe shqyrtimi i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, ose siç njihet gjerësisht si mundësia për lejimin e tërheqjes së mjeteve të Trustit nga qytetarët e Kosovës.
Partitë opozitare kanë shprehur vullnetin që të votojnë pro kësaj ideje, e cila erdhi pas nënshkrimit të peticionit. Mirëpo, rezerva ka nga partia më e madhe parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje, që është kundër.
Shumica e deputeteve të grupit parlamentar multietnik, në koalicion me Lëvizjen, do të votojnë pro tërheqjes se Trustit. Këtë e phoir depuetetja Dude Balje, që ajo vetë garantoi votën “pro”.
Pikë tjetër e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, pastaj shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021.
Pikë tjetër që pritet të ngjallë debat mund të jetë edhe shqyrtimi i Raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.
Rendi i ditës:
1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
3.Pyetjet parlamentare,
4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-178 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin nr. 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116,
5. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës,
6. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021,
7. Shqyrtimi i Raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.