Dy persona janë arrestuar nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, pasi tentuan të fusin në Shqipëri mallra kontrabandë. Shtetasit Edmond Nikolli dhe Shkëlqim Çuni, drejtues të një autobusi, u kontrolluan në hyrje të Shqipërisë, ku u gjetën mallra të dyshuara kontrabandë, si veshje, pajisje, produkte ushqimore, kozmetike dhe pije alkoolike, të cilat ishin pa fatura blerjeje. Gjatë kontrollit, u sekuestruan gjithashtu autobusi, telefonat mobilë dhe pasaportat e të arrestuarve.
Sipas informacionit të Policisë, veprimet janë realizuar në kuadër të operacionit “Duo”, me qëllim parandalimin e krimeve në kufi dhe goditjen e kontrabandës. Dy të arrestuarit, Edmond Nikolli dhe Shkëlqim Çuni, u arrestuan për veprat penale të “Kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “Kontrabandës me mallra të tjera”, kryer në bashkëpunim. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme./UBTNews/