Hetuesit policor të stacionit të Podujevës, në afërsi të Pallatit të Drejtësisë, përkundër tentativave për ikje, e kanë arrestuar një person i dyshuar për një rast të dhunës në familje që kishte ndodhur më 21 gusht në Bervenik të Podujevës.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Prishtinë, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në rajonin e Prishtinës, dhe kjo duke punuar me vendosmëri dhe përkushtim për kapjen e personave që dyshohen të jenë të implikuar në veprimtari kriminale, dokumentimin ligjor të veprimeve të tyre kriminale si dhe vënien e tyre para drejtësisë”, ka thënë Ahmeti.
Tutje, ajo shtoi se, “Si rrjedhojë e këtyre angazhimeve, sot nga hetuesit policor të stacionit të Podujevës, në afërsi të Pallatit të Drejtësisë, përkundër tentativave për ikje, është arrestuar një person i dyshuar. Personi i dyshuar U. N, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, ka qenë në kërkim nga ana e policisë, për një rast të dhunës në familje që ka ndodhur me datën 21.08.2021, në fshatin Bervenik të Podujevës”.
“I njëjti me rekomandim të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes, për veprën dhunë në familje”, tha ajo.