UBT News

​Tentimi i 23-të për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në vazhdimin e seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Ky është tentimi i 23-të me radhë.

Çështja e konstituimit të legjislaturës së nëntë ka ngecur te votimi i kryetarit të Kuvendit pasi partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar ndërrim të kandidatit të propozuar ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur kundër çdo propozimi të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në seancat paraprake, nuk pati kuorum për vendimmarrjen mbi komisionin për votimin e fshehtë. Propozimi – për disa herë me radhë – i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që procesi i votimit të bëhet në mënyrë të fshehtë, nuk po merr përkrahje nga partitë e tjera parlamentare.

Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka dërguar mënyrën e votimit të fshehtë për kryetarin e ri të Kuvendit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, më 15 maj, presidentja Vjosa Osmani takoi përfaqësuesit e partive politike, por as aty nuk pati pajtim për konstituim të Kuvendit.

Thirrje për dalje nga ngërçi ka bërë edhe faktori ndërkombëtar.

Exit mobile version