Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar pas dështimit të një atentati të mundshëm ndaj ish-Presidentit amerikan Donald Trump. Në një deklaratë të bërë përmes rrjetit social ‘X’, Netanyahu shprehu tronditjen e tij për ngjarjen, duke e cilësuar atë si shqetësuese, megjithatë, ai theksoi se ishte qetësuar kur mësoi se atentati dështoi.
“Sara dhe unë u tronditëm nga tentativa e dytë për vrasje ndaj Presidentit Trump, dhe ndiheshim më të qetë kur morëm vesh se sulmi kishte dështuar,” shkroi Netanyahu në postimin e tij. “Megjithatë, nuk duhet të mbështetemi vetëm në fat.”
Në përfundim të deklaratës së tij, kryeministri izraelit shprehu urimet më të mira për Trump dhe gruan e tij, Melania. “Ne dërgojmë urimet tona më të mira për Donald dhe Melania, dhe shpresojmë që do të merren të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që sulme të tilla vdekjeprurëse ndaj një kandidati për presidencën amerikane të parandalohen në të ardhmen,” shtoi ai.
Ngjarja e dështuar ndodhi dje në fushën e golfit të ish-Presidentit Trump, dhe përveç reagimeve nga liderët ndërkombëtarë, ka ngritur shqetësime për sigurinë e ish-Presidentëve dhe kandidatëve presidencialë në Shtetet e Bashkuara. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbuluar detajet e plota të këtij atentati të dështuar dhe për të identifikuar personat e përfshirë./UBTNews/