UBT News

Tensionet në veri, Tahiri: Pa amerikanët, situata ka potencial të përkeqësohet

Ish-kryenegociatoria Edita Tahiri ka folur për situatën në veri të vendit. Sipas saj, situata në veriun e Kosovës është shqetësuese, prandaj duhen matur mirë hapat që bëhen.

“Pjesa e veriut të Kosovës është gjithmonë një aspiratë koloniale e Serbisë dhe ata ende nuk kanë hequr dorë, prandaj qeveria e Kosovës nuk duhet t’i japë shkas që Serbia të hyjë me skenarët e saj. Tani situata është e qetë, por ka potencial për eskalime. Mirë është vizita e Escobar, deklaratat  ndërkombëtarëve kanë qenë korrekte”, thotë ajo për A2 CNN.

Sipas saj, pa një qasje të fortë ndërkombëtare, Beogradi do të mbetet gjatë një faktor destabilizues, dhe jo vetëm për Ballkanin.

“Dihet që Serbia nuk ka mundësi të cenojë shtetin e Kosovës, sepse jemi shtet me aleanca të fuqishme, por Vucic nuk i tejkalon retorikat nacionaliste, si ish-krahu i djathtë i Milosevicit. Nga momenti që shefi i tij ka bërë gjenocid, Vucic mendon se ka mbetur mbrapa”, thotë ajo me sarkazëm.

Sipas Tahirit, “Serbia është problem dhe është koha që Europa dhe partnerët perëndimorë t’ia bëjnë të qartë nëse duan të jenë me Rusinë ose me Perëndimin. Deri sa nuk e përcakton qartë politikën e Jashtme dhe taktikën e dy karrigeve, i gjithë Ballkani do të ketë probleme, por pasoja do të ketë edhe për Evropën”.

Duke ndërhyrë, sipas saj Europa do t’i bënte një nder vetes.

“Për paqen në Ballkan, dy zgjerime duhet të ndodhin. Bashkimi Europian të shtrihet në Ballkan, por edhe NATO, në mënyrë që t’i hiqet Serbisë çdo shteg. Ndërmjetësimi i BE është i veçantë për shkak të natyrës së tij, një bashkim vendesh që kurrë nuk janë bashkuar në politiken e jashtme, boll të mendosh 5 shtetet që nuk e njohin Kosovën. Kur BE dëshironte të zgjerohej, doli me Macronin me propozimin e tij. Duke i zgjeruar ata nuk do t’i bënin favor Kosovës, por stabilitetit të tyre”, sqaron ajo.

Problemet janë edhe të brendshme, jo vetëm gjeopolitike.

“Ka vërejtje që BE është i njëanshëm, nuk pres të jetë neutral. Në vend të ankohemi duhet të jemi të fuqishëm në argumentimet në arritjen e marrëveshjes finale, që duhet të konkretizohet në njohjen e ndërsjellët , çelës i paqes rajonale. Qeveria Kurti, në vend që të koordinohej me partnerin amerikan, filloi të bëj veprime vetjake dhe situata u ndez. Kurti ka një problem, qeveris midis populizmit dhe nihilizmit. Ftoj të ketë koordinim të plotë me amerikanët, duke përdorur kornizën e marrëveshjes së Brukselit. Amerikanet janë faktori përcaktues. Veriu është fuqia gjeopolitike e Kosovës, me minierat më të mëdha në Europë, prandaj Kosova duhet ta mbrojë atë,  nuk ka pika mediale, prandaj po befasohem,  pse duhet të bëheshin hapa të gabuara?”, deklaron diplomatja kosovare.

Exit mobile version