Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar se nga e mërkura do të nisë takimet e para me profesionistë të ndryshëm për të nxjerrë propozimet për dalje nga kriza e tanishme izoluese dhe tensionuese e Kosovës.
“Javën e shkuar kam shpalosur idenë e nisjes së artikulimit të një mendimi të përbashkët shoqëror, si rrugë e re e Republikës së Kosovës, përballë politikave përplasëse të Qeverisë së Kosovës me aleatët historikë të saj – dhe së këndejmi, rrezikimit të shtyllave qenësore të sovranitetit dhe vet shtetësisë sonë. Kam ftuar për angazhim të përbashkët të shoqërisë sonë, atyre që besojnë në Republikën e Kosovës dhe rrugëtimin e saj euroatlantik, në artikulimin e qartë të kësaj rruge. Kam ftuar në angazhim mbipartiak e përtejpartiak si thirrje e fundit ndaj zhvillimeve të kohës”, shkroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së tha se është i lumtur me reagimin e parë publik ndaj vet iniciativës.
“Jam i lumtur me mbështetjen e gjerë të dhënë nga vet akterët për këtë qëllim. Jam i bindur se shoqëria kosovare ka masën kritike të domosdoshme brenda saj, për të bërë gjënë e duhur në momentin e duhur. Dhe ky është momenti i duhur”, tha ai.
Sipas tij, nga e mërkura, do të organizojë katër takimet e para me opinionistë, gazetarë, organizata të shoqërisë civile, profesorë universitarë e ish-diplomatë dhe biznese nga sektori privat në vend.
“Në të katër takimet e para, do të shtrojmë jo vetëm nevojën e ndërtimit të një mendimi e rrugëtimi të përbashkët euroatlantik, por dhe propozimet tona për dalje nga kriza e tanishme izoluese e tensionuese. Këto propozime do të përmbajtësohen nga vet pjesëmarrësit; e rruga e re e Republikës, do të lindë natyrshëm nga angazhimi gjithëshoqëror”, përfundoi Abdixhiku.