Qeveria e Estonisë ka vendosur masa të reja dhe të forta kontrolli në kufirin me Rusinë, duke zbatuar një kontroll të plotë doganor në të gjitha pikat kryesore të kalimit kufitar. Këto masa përfshijnë pikat e kontrollit në Narva, Luhamaa dhe Koidula, dhe synojnë parandalimin e kalimit të mallrave që bien ndesh me sanksionet anti-ruse të vendosura nga Bashkimi Evropian.
Masat e reja janë njoftuar nga ministri estonez i financave, Jürgen Ligi, i cili ka deklaruar se inspektimet do të përfshijnë kryesisht “kontrolle vizuale dhe pyetje për pasagjerët”. Në raste dyshimi apo në mënyrë të rastësishme, zyrtarët doganorë do të kryejnë ekzaminime të mëtejshme, përfshirë skanime me rreze X të sendeve personale.
Vendimi për të forcuar kontrollet u bë publik më 1 gusht nga ministri i jashtëm estonez, Margus Tsahkna. Ai njoftoi se masat do të hyjnë në fuqi më 8 gusht 2024, me qëllim intensifikimin e kontrollit kufitar dhe forcimin e mbikëqyrjes për zbatimin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.
Ky hap është pjesë e një iniciative më të gjerë rajonale, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje në maj 2024 mes Polonisë, Finlandës, Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë, për të forcuar monitorimin dhe për të shkëmbyer informacion mbi zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë. Kjo marrëveshje synon të sigurojë që asnjë mall i ndaluar të mos kalojë në Rusi përmes këtyre vendeve, duke shtuar kështu presionin ekonomik ndaj Moskës.
Vendosja e kontrolleve të reja doganore pritet të ketë ndikime të mëdha në tregtinë dhe lëvizjen e njerëzve përgjatë kufirit ruso-estoni, duke theksuar më tej tensionet politike dhe ekonomike midis Rusisë dhe vendeve baltike./UBTNews/