Të paktën 20 palestinezë, përfshirë disa fëmijë dhe një punonjës mjekësor, kanë humbur jetën, ndërsa rreth 40 të tjerë janë plagosur gjatë sulmeve të kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës, sipas informacionit nga spitalet lokale.
Forcat izraelite deklaruan se tanket dhe avionët e tyre kryen sulme të sakta ndaj grupeve që i konsideruan si “terroristë”, pas një incidenti ku disa prej tyre hapën zjarr ndaj trupave izraelite në pjesën veriore të Gazës, duke plagosur rëndë një oficer, raporton BBC.
Sulmet ndodhën pranë Vijës së Verdhë, ku forcat izraelite janë të stacionuara, dhe ushtria izraelite theksoi se qëllimi ishte parandalimi i kërcënimeve ndaj trupave të saj.
Nga ana tjetër, Hamas tha se sulmet ishin përdorur si “justifikim i dobët” për të vazhduar agresionin kundër civilëve dhe për të shkaktuar viktima mes popullsisë së Gazës.
D.L.
