Në Shtëpinë e Bardhë po përshkallëzohen tensionet lidhur me mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake amerikane ndaj Iranit. Burime të brendshme raportojnë për përçarje të dukshme midis presidentit Donald Trump dhe drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, e cila është përjashtuar nga diskutimet më të rëndësishme strategjike mbi krizën.
Mungesa e saj në takimin e zhvilluar më 8 qershor në Camp David, ku u diskutuan tensionet mes Izraelit dhe Iranit, ka ngritur dyshime për një mosmarrëveshje të thellë në Shtëpinë e Bardhë. Zyrtarisht mungesa u arsyetua me angazhimin e saj në një trajnim të Gardës Kombëtare, por mediat amerikane bëjnë me dije se ajo ka qenë përjashtuar për shkak të qëndrimeve të saj skeptike ndaj ndërhyrjes ushtarake.
Presidenti Trump ka shprehur hapur mosbesimin ndaj Gabbard, veçanërisht pas dëshmisë së saj në Kongres në mars, ku ajo theksoi se komuniteti i inteligjencës nuk është i bindur se Irani po zhvillon armë bërthamore, që përbën një kundërshtim të hapur ndaj retorikës presidenciale.
Përplasja midis tyre u theksua edhe më shumë pas publikimit të një videoje nga Gabbard, e cila paralajmëron për rrezikun e një konflikti bërthamor dhe u interpretua si një kritikë e qasjes së administratës Trump ndaj krizës me Iranin.
Kjo përçarje reflekton ndarjet më të gjera brenda lëvizjes MAGA, ku një pjesë e republikanëve mbështesin linjën e ashpër ndaj Teheranit, ndërsa Gabbard promovon diplomacinë dhe shpreh skepticizëm për ndërhyrjet ushtarake.
Megjithatë, disa zyrtarë të administratës, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance, vazhdojnë ta mbështesin Gabbard si një zë të rëndësishëm brenda ekipit të sigurisë kombëtare, edhe pse pozita e saj politike mbetet e brishtë.