UBT News

Tensionet, barrierat dhe paqëndrueshmëria politike në Kosovën Veriore

Prej vitit 2022, veriu i Kosovës ka përjetuar tensione të rënda, të nxitura nga çështje komplekse si mosmarrëveshjet për targat e makinave, braktisja e institucioneve të Kosovës nga komuniteti serb, dhe sfidat në funksionimin e institucioneve lokale dhe të pavarura si policia dhe gjykatat.

Tensionet kanë thelluar ndarjet etnike, duke krijuar pengesa serioze për integrimin dhe bashkëpunimin, sidomos midis komunitetit serbe  dhe qeverisë qendrore. Kjo situatë u përkeqësua edhe më tej kur komuniteti serb braktisi të gjitha institucionet qendrore dhe lokale me urdhra të drejtpërdrejta nga Beogradi. Largimi i tyre krijoi një vakuum institucional, duke rritur rrezikun për destabilizim dhe duke ndikuar negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve të kësaj zone. Përpjekjet e Kosovës për të mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme në 2023 u përballën me bojkotin e serbëve lokalë, duke rezultuar në zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë me një pjesëmarrje minimale të votuesve.

Në shtator 2023, situata arriti një pikë kritike me sulmin në Banjska nga terroristët serbë, që rezultoi në humbje jetësh dhe përshkallëzoi tensionet etnike dhe politike. Për më tepër, sulmi i fundit terrorist në kanalin ujor Ibër-Lepenc, një infrastrukturë jetike për furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Kosovë, ka thelluar ndarjet dhe ka nxjerrë në pah rrezikun për stabilitetin në tërësi. Ky sulm, që synonte qartë të dëmtonte infrastrukturën kritike, tregoi përfshirjen e grupeve terroriste të mbështetura nga struktura politike dhe të sigurisë në Serbi.

Pas këtij akti të rëndë, autoritetet e Kosovës ndërmorën operacione të gjera duke arrestuar persona të përfshirë dhe duke sekuestruar armë e municione. Megjithatë, ndikimi i Beogradit në komunitetin serb lokal dhe frika nga grupet ekstremiste vazhdojnë të jenë një pengesë e madhe për stabilitetin dhe integrimin e plotë.

Rruga përpara!

Situata në veri të Kosovës kërkon veprime të qarta dhe të vendosura. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të rrisin presionin diplomatik mbi Serbinë për të ndalur mbështetjen ndaj grupeve që destabilizojnë jo vetëm Kosovën por edhe rajonin.

Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës duhet të thellojë koordinimin institucional dhe bashkëpunimin me partnerët Perëndimorë për të siguruar kontrollin e situatës dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në veri. Çdo hap prapa apo boshllëk në këtë proces mund të rezultojë në pasoja më të rënda dhe të ndërlikuara për stabilitetin e përgjithshëm.

Adoptimi i një qasjeje të balancuar ndërmjet sigurisë dhe dialogut do të jetë çelësi për të siguruar paqe të qëndrueshme dhe për të adresuar shkaqet rrënjësore të tensioneve etnike e politike në këtë zonë të ndjeshme të Kosovës./UBTNews/

 

 

Shkruan: Prof. Dr. Dritero Arifi, politolog dhe profesor në Shkenca Politike

Exit mobile version