Përfaqësues opozitarë në Serbi, Aleksandar Jovanoviq, lider i Lëvizjes Ekologjike në Serbi, Mirosllav Aleksiq nga Partia Popullore dhe Danijela Nestoroviq, deputete në Parlamentin e Serbisë, kanë vizituar sot protestuesit në Zveçan, të cilët po protestojnë për të 26 ditë kundër prezencës së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë në veri.
Prezenca e këtyre opozitarëve ka ngjallur tensione në mes të protestuesve, me ç’rast mbështetësit e Listës serbe dhe ata të opozitës janë sharë e fyer verbalisht, ndërsa ka pasur edhe shtyerje mes vete.
Ata thanë para gazetarëve se kanë ardhur këtu për t’u solidarizuar me protestuesit, sepse gjendja e popullatës këtu është e njëjtë sikurse edhe e atyre në Serbi.
Mirosllav Aleksiq nga Partia Popullore tha se e ka obligim që të përfaqësojë qytetarët nga Kosova dhe nga çdo pjesë tjetër e Serbisë.
“Përsa na përket neve, do të flasim dhe do të kërkojmë përgjegjësi nga autoritetet dhe do të kërkojmë hapa konkretë, por mendoj se nga këtu në Kosovë qytetarët duhet të japin zërin dhe qëndrimin e tyre dhe ne nuk duhet të heshtni më, nuk duhet të heshtim në atë se çfarë po ndodh për 10 vite këtu”, tha ai.
Aleksandar Jovanoviq, lider i Lëvizjes Ekologjike në Serbi tha se ka ardhur për të mbështetur protestuesit në veri.
“Unë nuk kam ardhur këtu për të fajësuar askënd apo për t’u marrë me politikë, ata që janë përgjegjës për paqen dhe rendin në Kosovë janë ata që janë pas nesh, ata janë ata që kanë 10 vjet që vuajnë edhe atë që po ndodh në Serbi edhe atë që po ndodh këtu. Është një shkelje brutale e të gjitha ligjeve të mundshme, kështu që nuk ka ndonjë dallim të madh mes asaj që po ndodh këtu dhe në Serbi nëse shikon”, tha ai.
Deputetja Danijela Nestoroviq ftojë të gjithë në dialog në mënyrë që qytetarët të mund të jetojnë të qetë në veri.
“Ne kemi një interes të përbashkët. Unë do të doja të dëgjoja se çfarë kanë ata njerëz kundër opsioneve të tjera politike, ja e keni rastin t’i dëgjoni, ne e durojmë çdo ditë në kuvend dhe është krejtësisht e parëndësishme, thjesht do t’i ftoja të gjithë në dialog dhe thjesht që njerëzit këtu në Zveçan dhe në çdo pjesë të Kosovës që përfaqëson territorin tonë, të fillojnë të jetojnë normalisht“, tha ajo.
Opozitarët pas Zveçanit vazhduan për në veri të Mitrovicës, ndërsa mësohet se do t’i vizitojnë protestuesit edhe në komunat tjera veriore.