Pjetër Shala ka reaguar me nervozë pasi gjyqtarja e Gjykatës Speciale ka shqiptuar vendimin e njësuar prej 18 vitesh burg për të për disa vepra penale.
Shala pasi është urdhëruar që të ulet pas shqiptimit të dënimit, shihet që bën një lëvizje me dorë dhe vazhdon të flasë.
Pas kësaj dëgjohet teksa reagon ashpër gjyqtarja kryesore duke ia tërhequr vërejtjen Shalës që s’është radha e tij të flasë dhe që s’mund të flasë.
“Z.Shala s’është radha e juaj të flisni. Z. Shala s’mund të flisni, askush nuk iu dëgjon”, dëgjohet teksa thotë gjyqtarja.
Pjetër Shala më pas vazhdon të flasë edhe përkundër se e kishte të ndalur mikrofonin dhe kjo nxit gjyqtaren e rastit që të udhëzojë avokatin mbrojtës të Pjetër Shalës që t’i afrohet klientit të tij dhe t’i flasë.
“Z. Avokat do të ishte mirë t’i afroheshit klientit tuaj dhe të bisedonit me të. E ka mbyllur mikrofonin, publiku s’dëgjon”, shprehet tutje gjyqtarja e Dhomave të Specializuara.
Pas kësaj, shihet avokati mbrojtës teksa i drejtohet klientit të tij, Pjetër Shala.