UBT News

Tenistja e njohur ‘zhduket’, ditë më parë e akuzoi një zyrtar të lartë për abuzim seksual

Shqetësimet janë rritur në të gjithë komunitetin e tenisit për vendndodhjen e yllit të tenisit kinez, Peng Shuai.

Ajo nuk është parë në publik që kur e akuzoi ish-zëvendëskryeministrin kinez, Zhang Gaoli, për sulm seksual ndaj saj.

Tenistja kineze kishte shkruar në mediat sociale më 2 nëntor se Gaoli e kishte detyruar atë të bënte seks me të kur ajo e vizitoi atë dhe gruan e tij në shtëpinë e tyre rreth tre vjet më parë. Më pas ajo shtoi se më vonë ra dakord për një lidhje të fshehtë me Zhang.

Postimi u hoq shpejt nga mediat sociale kineze dhe qeveria kineze ka shmangur komentimin e situatës.

Kryetari dhe shefi i Women’s Tennis Association, Steve Simon, tha në një deklaratë të mërkurën se ai dyshon se një email i fundit që ka marrë nga tenistja kineze është në të vërtetë nga ajo.

Të mërkurën, CGTN, seksioni ndërkombëtar i mediave shtetërore të Kinës, publikoi në Twitter një email që pretendonte se ishte shkruar nga Peng dhe i ishte dërguar Simon.

Në email, Peng thotë se “po pushon në shtëpi” dhe heq dorë nga akuzat e saj të mëparshme për sulm seksual kundër Zhang.

Por në deklaratën e tij, Simon tha se e kishte “të vështirë të besonte” se emaili ishte legjitim dhe bëri thirrje që Peng të lejohej “të fliste lirshëm, pa shtrëngim apo frikësim”.

Shumë tenistë të njohur botërorë kanë shprehur shqetësimet e tyre në media sociale rreth sigurisë dhe mirëqenies së Peng.

Në një deklaratë, Shoqata e Tenisit të Grave (WTA) vlerësoi Shuai-n për “guximin dhe forcën e saj të jashtëzakonshme” duke thënë “gratë në mbarë botën po gjejnë zërat e tyre në mënyrë që padrejtësitë të korrigjohen”.

Organizata i ka bërë thirrje gjithashtu Kinës që të zbulojë vendndodhjen e Shuait./UBTNews/

Exit mobile version