UBT News

Temperaturat e larta: MSH rekomandon masa mbrojtëse për punëtorët

Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, për periudhën 3 deri më 10 korrik.

Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë, bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Rekomandimet:

1.1 Të përshtatin oraret e punës për të punësuarit e tyre dhe sipas mundësive të aplikohet orar fleksibël të punës që nënkupton lejimin e punëtorëve që të fillojnë punën më herët në mëngjes ose të punojnë nga shtëpia nëse ka mundësi;

1.2 Shtatzënat të lirohen nga puna gjatë orëve të pikut të nxehtësisë, ose të punojnë nga shtëpia;

1.3 Personat më sëmundje kronike dhe me gjendje shëndetësore të rënduar, të lejohen të punojnë nga shtëpia;

1.4 Të sigurohet ajrosja e mjaftueshme në vendet e punës të mbyllura;

1.5 Të vendosen pika freskimi (përdorim i çadrave të lëvizshme dhe materialeve të tjera për të krijuar hije apo zona freskimi) në vend-punishtet e hapura për freskim të punëtorëve dhe të sigurohet qasje në ujë të ftohtë për punëtorët;

1.6 Të shpërndahen informacione përmes burimeve të informimit për qytetarët për mënyrat e mbrojtjes nga nxehtësia;

1.7 Ata që merren me punët në bujqësi, të planifikojnë zhvillimin e punëve të tyre në mëngjes herët ose pasdite vonë për të shmangur ekspozimin në nxehtësinë e madhe.

1.8 Institucionet private po ashtu këshillohen që të marrin në konsideratë këto rekomandime nga IKSHPK

Ministria gjithashtu rekomandon masat mbrojtëse ndaj ekspozimeve në temperaturat e larta për qytetarët.

5.1. Të shmanget qëndrimi në ambientin e jashtëm në pikun e nxehtësisë;

5.2 Të konsumohet ujë për tu mbrojtur nga dehidrimi dhe të shmangen pijet e gazuara;

5.3 Të përdoren kapelë dhe syze mbrojtëse nga dielli kur qëndrohet jashtë;

5.4 Mos të lihen fëmijët vetëm në veturë deri sa prindërit/kujdestarët kryejnë ndonjë punë;

5.5 Të kontaktohen rregullisht të afërmit e moshuar ose me sëmundje kronike për të konfirmuar nevojat shëndetësore të tyre;

6. Vendimi hyn në fuqi fillon të zbatohet prej 3 deri në 10 korrik 2025;

Exit mobile version