Televizioni shtetëror rus ka ndërprerë papritur fjalimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, teksa ai i është drejtuar audiencës në Stadiumin Luzhniki në Moskë. Ende nuk dihet pse ka ndodhur diçka e tillë.
Ai e ka mbajtur këtë fjalim për të shënuar përvjetorin e tetë të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë.
Aneksimi i Krimesë është dënuar nga Perëndimi dhe Ukraina, andaj edhe nuk e njohin si territor rus.
Fjalimi i Putinit është ndërprerë papritur dhe televizioni ka shfaqur disa këngë që janë kënduar në stadium.
Një pjesëmarrës i koncertit ka thënë se Putin e ka përfunduar fjalimin dhe e ka lënë skenën.
Rusia ka dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt, me qëllim të degradimit të kapaciteteve ushtarake të Ukrainës dhe të çrrënjosjes së njerëzve që i ka quajtur nacionalistë të rrezikshëm.
Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër ndaj luftës.
Perëndimi ka vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit të tërheqë forcat nga Ukraina.
Rusia e konsideron luftën në Ukrainë si “operacion special ushtarak”./REL