Kur Marina Ovsyannikova hyri në studion e lajmeve të hënën, duke denoncuar luftën në Ukrainë dhe propagandën rreth saj, protesta e saj nënvizoi një rrjedhë dorëheqjesh nga televizioni shtetëror rus – tejet i kontrolluar, përcjell UBT News.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka falënderuar atë, duke i bërë thirrje kujtdo që punon për atë që ai e quan sistemin propagandistik të Rusisë të japë dorëheqje.
Disa orë pas protestës në ekran të Marina Ovsyannikovas, dolën në dritë tre dorëheqje.
Kolegja e Channel One, Zhanna Agalakova la punën e saj si korrespondente për Evropën, ndërsa dy gazetarë janë larguar nga rivali NTV. Lilia Gildeyeva kishte punuar për kanalin si prezantuese që nga viti 2006 dhe Vadim Glusker kishte qenë në NTV për gati 30 vjet.
Gazetari Roman Super tha se njerëzit po largoheshin masivisht nga stacioni i lajmeve Vesti, megjithëse kjo nuk është konfirmuar. Megjithatë, prezantuesi i njohur i TV, Sergej Brilev hodhi poshtë raportet se ai kishte dhënë dorëheqjen, duke theksuar se ai ka qenë në një udhëtim pune për më shumë se një javë.
Maria Baronova është dorëheqja e profilit më të lartë në RT, e njohur më parë si Rusia Today. Ish-kryeredaktorja në RT, i tha Steve Rosenberg të BBC-së këtë muaj se Putin e kishte shkatërruar tashmë reputacionin e Rusisë dhe se edhe ekonomia ishte e vdekur.
Një numër i gazetarëve të tjerë të RT kanë dhënë gjithashtu dorëheqjen, duke përfshirë gazetarë jo-rusë që punojnë për shërbimet e saj në gjuhë të tjera.
Ish-korrespondentja nga Londra, Shadia Edwards-Dashti njoftoi dorëheqjen e saj në ditën kur Rusia pushtoi Ukrainën pa dhënë arsye. Gazetari me bazë në Moskë, Jonny Tickle dha dorëheqjen në të njëjtën ditë “në dritën e ngjarjeve të fundit”.
Prezantuesi francez i RT-së, Frédéric Taddeï, tha se po largohej nga emisioni i tij sepse Franca ishte “në konflikt të hapur” me Rusinë dhe ai nuk mund të vazhdonte të prezantonte programin e tij.
Ditë më vonë, BE-ja tha se po ndalonte të gjitha mediat e ndryshme të RT-së, si dhe ato të medias tjetër të Kremlinit, Sputnik, për “fushatën e tyre të dezinformimit, manipulimit të informacionit dhe shtrembërimit të fakteve”. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, agjencia ruse e lajmeve me bazë në Gjermani, Ruptly, gjithashtu ka pësuar një valë dorëheqjesh.
Kurse BBC Russian është në mesin e një numri të mediave perëndimore që janë ndaluar në Rusi, poashtu gazetarët që punonin për Meduza me bazë në Letoni u detyruan të largoheshin nga Rusia.
Nuk janë vetëm gazetarët që janë larguar nga televizioni shtetëror.
Një nga drejtuesit më të mëdhenj të talk show-t në Rusi, Ivan Urgant, ka marrë një pushim nga emisioni në kanalin e dytë më të madh të Rusisë, Channel One, i njëjti kanal ku ishte Marina Ovsyannikova.
Ai ka reaguar për luftën duke postuar një katror të zi në llogarinë e tij në Instagram me mesazhin e thjeshtë: “Frikë dhe dhimbje. Jo luftë”. Që atëherë ai u ka thënë ndjekësve të tij që të mos bëjnë panik dhe se ai ka marrë pushime dhe do të kthehet së shpejti./UBTNews/