Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, që është edhe kryesuese e Komsionit për Mbikëqyrje të Financave ka thënë se ka pakënaqësi edhe nga qytetarët për shërbime të Telekomit.
Ajo ka pyetur pse ekziston ende shërbimi me kartela për mbushjen e telefonit. Ka pyetur edhe për kontrata fiktive dhe se a janë adresuar këto çështje.
Për këtë u.d. e kryeshefes, Burbuqe Hana ka thënë se zyra e auditorit të brendshëm i raporton Bordit dhe ai nuk e ka pasur të arsyeshme të ndryshojë.
Ka thënë se janë realizuar 5 auditime, nga tetë sa janë paraparë.
Për ARKEP-in ka thënë se kanë qenë në takim dhe është diskutuar për zbatimin e kodit shtetëror dhe të borxheve të akumuluara.
Ka thënë se kanë borxhe ndaj këtij institucioni në vlerë prej 8 milionë euro dhe se aktualisht nuk kanë mundësi që ta paguajnë.
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave po e shqyrton Raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Kompanisë “Telekomi i Kosovës” sh.a., për vitin 2020.
Deputeti Eman Rrahmani nga Vetëvendosje ka shpalosur gjetjet për vitin 2020 në këtë ndërmarrje.
Ai ka thënë se 17,281,142 euro është borxhi i mbetur i Telekomit të Kosovës ndaj Dardafone.net, sipas marrëveshjes për pagesën e borxhit në procedurën e përmbarimit.
Ky borxh do të paguhet me këste mujore prej 720,048 eurove, duke shtuar edhe 7 për qind kamatë vjetore dhe shpenzimet e përmbarimit.
Deputeti Rrahmani ka përmendur edhe borxhin që Telekomi ka ndaj ARKEP-it e që rrezikon edhe me tërheqjen e licencës.
Sipas tij, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se për 84 pozita në Telekomin e Kosovës ku punonjësit nuk paguhen njëjtë edhe pse kanë grada të njëjta për pozitën e njëjtë. Ka përmendur ngecjet në zbatimin e kodit shtetëror.
Gjatë shpalosjes së raportit ka përmendur edhe parregullsi të tjera që janë evidentuar në raport.
Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave, Hykmete Bajrami ka kërkuar sqarime të planit për adresimin e gjetjeve të Auditorit pasi siç ka thënë një pjesë e madhe e gjetjeve nuk janë adresuar dhe janë të përsëritura./koha