UBT News

Telefoni po riniset automatikisht, kur mund t’ju ndodhë kjo?

Pajisjet Android do të rinisen automatikisht në të ardhmen nëse nuk janë zhbllokuar për një kohë të gjatë. Kjo veçori e re e sigurisë do të prezantohet, sipas njoftimeve, për të mbrojtur më mirë të dhënat e përdoruesve.

Opsioni i ri, që është pjesë e përditësimit më të fundit të shërbimeve Google Play, parashikon që telefoni ose tableti do të riniset automatikisht nëse qëndron i bllokuar për tri ditë rresht.

Pas rinisjes, përdoruesi duhet të fusë PIN-in për të hyrë në pajisje – metodat biometrike të zhbllokimit (si gjurmët e gishtave ose njohja e fytyrës) do të çaktivizohen përkohësisht derisa të jepet kodi.

Sipas faqes 9to5Google, kjo veçori do jetë e disponueshme në telefonët e tabletët Android, por nuk do të vlejë për pajisjet në kategoritë Auto, TV dhe WearOS.

Është e rëndësishme të theksohet se nuk bëhet fjalë për një rivendosje në gjendje fabrike, por për një rinisje që e vendos pajisjen në gjendjen para zhbllokimit të parë (BFU – Before First Unlock), duke shtuar një shtresë shtesë mbrojtjeje për të dhënat e përdoruesit.

Apple ka prezantuar funksion të ngjashëm në iOS 18.1 me emrin “Inactivity Reboot”, i cili aktivizohet pas katër ditësh pa aktivitet.

Ende nuk është bërë e ditur se kur kjo veçori do të jetë e disponueshme për të gjithë përdoruesit, pasi përditësimet e tilla të Play Services vijnë gradualisht, brenda një deri në dy javë.

Gjithashtu, nuk dihet nëse përdoruesit do të marrin ndonjë njoftim për arsyen e rinisjes automatike.

Exit mobile version