Teherani ka hedhur poshtë akuzat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se personeli ushtarak iranian është në terren në Krimenë e pushtuar nga Rusia për të ndihmuar Moskën të kryejë sulme me dronë në Ukrainë.
Të enjten e javës së kaluar, zëdhënësi i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha se forcat iraniane janë “në terren në Krime” për të ndihmuar Rusinë në operacionet e saj, duke shtuar se personeli janë trajnerë dhe punonjës të mbështetjes teknologjike.
Në përgjigje, zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Iranit, Nasser Kanani tha të hënën se Uashingtoni “synon të devijojë opinionin publik nga roli shkatërrues që ata kanë në luftën e Ukrainës duke qëndruar në njërën anë të konfliktit dhe duke eksportuar shumë armë dhe pajisje në Ukrainë”./UBTNews/