Një shkëmbim zjarri në një bar plot me njerëz në St. Paul të Minnesotas, ka lënë të vdekur një grua dhe 14 persona të tjerë të plagosur, raportojnë autoritetet atje.
Të shtënat ndodhën pak pas mesnatës së të dielës.
Policia thotë se informacionet paraprake tregojnë që disa persona kanë qëlluar me armë, por ende nuk është e qartë se çfarë çoi në shkëmbimin e zjarrit.
Policia arrestoi tre burra të cilët po trajtohen në spital për lëndime nga shkëmbimi i zjarrit.
Lokali ku ndodhi ngjarja është në një zonë argëtuese në jug të Qendrës së Energjisë Xcel. Gazeta Star Tribune raporton se gruaja në të 20-at e saj që u vra, është viktima e 32-të e vrasjeve që ndodhën këtë vit në këtë qytet.