Disa persona janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri që ndodhën të shtunën në mëngjes pranë kampit bazë të kombëtares së Anglisë për Kupën e Botës në Kansas City, Missouri.
Sipas policisë amerikane, të paktën nëntë të rritur janë dërguar në spitalet e afërta pas incidentit që ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit në Troost Avenue, rreth katër milje larg kampit të Anglisë në Swope Soccer Village.
Autoritetet kanë bërë të ditur se të plagosurit kanë pësuar lëndime jo kërcënuese për jetën dhe pritet të mbijetojnë. Sipas kapitenit të policisë së Kansas City, Jake Becchina, deri tani nuk ka asnjë të dyshuar të arrestuar dhe hetimet janë në vazhdim.
Ai ka konfirmuar gjithashtu se lojtarët dhe stafi i Anglisë nuk ndodheshin në vendngjarje, pasi ekipi po stërvitet në Florida në kuadër të përgatitjeve për Kupën e Botës.
Banorët e zonës kanë raportuar se të shtënat nuk janë të pazakonta në atë lagje, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes.
Anglia ndërkohë ka vazhduar përgatitjet e saj dhe të shtunën ka fituar 1-0 ndaj Zelandës së Re në një ndeshje miqësore në Tampa.
