Nëntë persona kanë mbetur të vdekur nga të shtënat me armë zjarri në një parking hekurudhor në San Hoze të Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zëvendësi i Sherifit në Santa Klara, Rusel Daviss, njoftoi se një person i armatosur qëlloi në drejtim të viktimave.
I vdekur u gjet edhe sulmuesi, i cili sipas raportimeve të mediave të huaja, ishte punjonës i autoritetit të transportit, i cili u identifikua si Sam Cassidy.
Sipas ekspertit mjekësor, bëhet e ditur se viktimat ishin të moshës 29 deri në 63 vjeç.
Daviss pohoi se policët nuk shkëmbyen zjarr me personin e armatosur dhe hetuesit besojnë se ai kreu vetëvrasje.
“Kur dorasi ishte i vetëdijshëm që policia ishte atje, kreu vetëvrasje. Zyrtarët policorë ishin mu atje në momentin kur ndodhi ngjarja”, tha shefi i policisë.
Reagimi i presidentit Joe Biden
Pas këtij rasti reagoi presidenti amerikan, Joe Biden, i cili në një deklaratë zyrtare i bëri thirrje Kongresit amerikan të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të parandaluar dhunën.
“Mjaft”, tha Biden në një deklaratë. “Edhe njëherë, unë e nxis Kongresin të marrë masa të menjëhershme dhe të marrë parasysh thirrjen e popullit amerikan, duke përfshirë shumicën dërrmuese të pronarëve të armëve, për t’i dhënë fund kësaj “epidemie” të dhunës me armë në Amerikë”, shtoi kreu i Shteteve të Bashkuara të Amerikës./UBTNews
(Albina Vitija dhe Lirika Vitija, studente të vitit të parë në Media dhe Komunikim në UBT)