Të paktën një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë si pasojë e të shtënave me armë në një zonë të dedikuar për tifozët e Kupës së Botës në San Jose të Kalifornisë.
Sipas Departamentit të Policisë së San Jose, njëri nga viktimat u shpall i vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa personi tjetër u dërgua me lëndime të rënda në një spital lokal.
“Një viktimë u shpall e vdekur në vendngjarje. Viktima e dytë u transportua në një spital lokal me lëndime kërcënuese për jetën”, njoftoi policia.
Autoritetet kanë bërë të ditur se rasti po hetohet si vrasje dhe se disa rrugë në zonë janë mbyllur për shkak të hetimeve.
“Ky incident po hetohet si vrasje. Disa rrugë përreth janë të mbyllura në zonë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Të shtënat ndodhën në Sheshin San Pedro, një nga hapësirat ku tifozët janë mbledhur për të ndjekur ndeshjet e Kupës së Botës në ekrane të mëdha në natyrë. Megjithatë, në momentin e incidentit nuk po transmetohej asnjë ndeshje futbolli.
Deri më tani, në Zonën e Gjirit të San Franciskos janë zhvilluar pesë ndeshje të Kupës së Botës, ndërsa e fundit ishte ndeshja eliminatore mes Bosnjës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës./A.K/
