UBT News

Të shtëna me armë në ahengje familjare, disa raste në Podujevë, Viti e Ferizaj

Disa raste të përdorimit të armëve gjatë ahengjeve familjare janë raportuar të dielën në Podujevë, Viti dhe Ferizaj. Policia e Kosovës ka intervenuar në rastet e raportuara, ndërsa disa persona janë arrestuar dhe armë e gëzhoja janë konfiskuar.

Në Podujevë,  një person është arrestuar pasi dyshohet se kishte shtënë me armë gjatë një ahengu familjar. Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë me gaz, e cila dyshohet se është përdorur në rast, si dhe gjashtë gëzhoja dhe 20 fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.

Në të njëjtën komunë janë raportuar edhe tri raste të tjera të shtënave gjatë ahengjeve familjare. Në këto raste, policia ka konfiskuar pistoleta me gaz dhe gjithsej disa gëzhoja. Të dyshuarit janë intervistuar dhe, me urdhër të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, në Viti,dy burra kanë raportuar se ata dhe familjarët e tyre janë rrezikuar pasi pranë tyre kanë rënë dy predha të fishekëve të armës së zjarrit. Sipas policisë, të shtënat dyshohet se kanë ardhur nga një shtëpi në lagje ku po zhvillohej një aheng familjar.

Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili ishte përgjegjës i familjes ku po mbahej ahengu. Gjatë kontrollit në oborrin e shtëpisë janë gjetur dhe konfiskuar 30 gëzhoja të fishekëve të armës së zjarrit, ndërsa arma nuk është gjetur. I dyshuari ka mohuar se kishte shtënë me armë.

Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa rasti mbetet nën hetime.

Në Ferizaj, një person është shoqëruar në stacionin policor pasi dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar. Nga ai është sekuestruar një pistoletë me gaz.

Me urdhër të prokurorit, rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.

D.L

Exit mobile version