UBT News

​Të respektohen afatet kushtetuese, Zemaj ka një apel për presidenten Osmani

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani të respektojë afatet kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, pas dështimit të Glauk Konjufcës për ta formuar qeverinë e re.

Ai, në hollin e Kuvendit, tha se dështimi i dytë i LVV-së për të formuar qeverinë tregon se qytetarët u mashtruan, pasi nuk kanë pasur numrat e nevojshëm për ekzekutivin e ri.

Vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe ne bëjmë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike, pa ndërhyrje dhe pa tendencë, ashtu si kemi parë këto ditë vazhdimisht nga LVV-ja si grup politik parlamentar. Presidentja e vendit duhet të respektojë afatet kushtetuese dhe të mos lejojë asnjë ndërhyrje të kujtdo qoftë në vendimmarrjen e saj”, tha ai.

Sipas tij, pas dështimit të formimit të qeverisë së re, nuk duhet të thirret asnjë seancë për zgjatjen buxhetore të paralajmëruar nga presidentja Osmani.

Ata që kanë mashtruar qytetarët se kanë numrat janë Lëvizja Vetëvendosje. Që nga fillimi dhe deri në përfundim të zgjedhjeve të 9 shkurtit, ata deklaruan se kishin një shumicë, por kjo shumicë u dyshua se nuk ekzistonte dhe nuk e kishin as sot. Me votimin kundër të mandatarit të dytë ka përfunduar gjithçka, dhe çdo thirrje për një seancë, përveç nëse kemi gjendje emergjente, çdo thirrje tjetër është tendencë për kamuflim dhe mashtrim”, theksoi ai.

Exit mobile version