Ka dështuar të mbahet Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në të cilën është pritur që të diskutohet dinamika e zbatimit të Planit të Veprimit të këtij Komisioni.
Kryetari i këtij komisioni, Driton Selmanaj tha se kjo është hera e dytë që VV-ja nuk është duke marr pjesë në mbledhje për të vetmin qëllim sipas tij, për ta penguar punën e këtij Komisioni.
“Është hera e dytë që VV-ja është duke e bojkotuar takimin, herën e parë ka ndodhur para 10 ditësh dhe nuk kam marr arsyeje ndërsa sot kam marr arsyeje, këto arsyeje nuk qëndrojnë, këto janë arsyeje që vetëm me penguar punën e këtij Komisioni. Unë e shoh si përpjeke dhe tendencë për ta penguar punën e këtij Komisioni”, tha ai.
Selmanaj tha se mbledhja e radhës do të mbahet të premten ku do të intervistohet ambasadori Martin Berishaj. Ai shtoi se Komisioni ka dashur që të intervistojë edhe Besim Imeri, por që sipas tij VV-ja nuk dëshiron që këta dy persona të jenë pjesë e intervistave.
“Unë po e thërras mbledhjen për të premten, në orën 11:00 me vetëm një të intervistuar, ai është ambasadori Martin Berishaj. Ndërkohë qëllimi im ka qenë që njerëzit që duhet të intervistohet edhe Besim Imeri, udhëheqës i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike që ka pasur nën mandat monitorimin e KEK-ut, ai është larguar nga kjo detyrë dhe arsyeja e tij e largimit ka qenë se ai është larguara sepse KEK-u ka fshehur kontrata. Siç duke VV-ja nuk dëshiron që këta dy persona të jenë pjesë e intervistave”, deklaroi ai.