UBT News

Të përzierat dhe vjellja e mëngjesit: shkaqet dhe kur duhet të shqetësoheni

Nga ndryshimet hormonale te problemet me tretjen, ja faktorët më të zakonshëm që mund të fshihen pas nauzesë së mëngjesit.

Nëse sapo keni hapur sytë e ndjeni përzierje ose keni nevojë të villni, pa e ditur shkakun, kjo lidhet me disa faktorë shëndetësorë. Mjekët theksojnë se simptomat e mëngjesit janë tregues të një gjendjeje themelore që meriton vëmendje, sidomos nëse përsëriten.

Sipas mjekes dr. Sonal Shah, ndjesia e përzierjes në mëngjes mund të lidhet me mungesën e gjumit, ankthin, ushqyerjen e parregullt apo gjendje tjera.

1. Dehidratimi

Trupi përbëhet nga ujë e çdo mungesë e tij reflektohet në shëndet. Dhimbjet e kokës, lodhja dhe të përzierat gjatë zgjimit janë shpesh sinjale të humbjes së tepërt të lëngjeve. Dietologia Eisling Moran thekson: “Të përzierat dhe të vjellat mund të krijojnë një cikël të mbyllur me dehidratimin, një gjendje që jo vetëm shkaktohet nga humbja e lëngjeve, por edhe e përkeqëson atë”. Një gotë ujë menjëherë pas zgjimit mund të ndihmojë në thyerjen e këtij cikli.

2. Lodhja dhe mungesa e gjumit

Mungesa kronike e gjumit çrregullon ritmet cirkadiane e shkakton rraskapitje, e cila manifestohet me të përziera. Gjumi i pamjaftueshëm ndikon në sistemin nervor, duke rritur irritueshmërinë, ulur përqendrimin dhe ngadalësuar tretjen, një kombinim që e bën më të lehtë shfaqjen e simptomave në mëngjes.

3. Ankthi dhe stresi

Një shkak i zakonshëm i nauzesë së mëngjesit, sidomos kur shoqërohet me ndryshime hormonale. Anxiety UK raporton se rreth 98% e grave përjetojnë ankth gjatë menopauzës, për shkak të luhatjeve të estrogjenit dhe kortizolit. Stresi aktivizon sistemin nervor simpatik, që ngadalëson tretjen e shkaktojë të përziera.

4. Hipoglikemia (sheqeri i ulët në gjak)

Kur niveli i glukozës bie nën normë, trupi nuk ka mjaftueshëm energji për proceset bazë, duke përfshirë funksionin e trurit. Kjo gjendje prek personat me diabet që marrin insulinë, por mund të ndodhë edhe tek të tjerët pas periudhave të agjërimit, konsumit të tepërt të alkoolit ose ushqyerjes së pamjaftueshme në darkë. Simptomat përfshijnë djersitje, dridhje, konfuzion dhe përzierje.

5. Çekuilibri hormonal

Kortizoli, i njohur si “hormoni i stresit”, natyrshëm është më i lartë në mëngjes, por nivelet jonormale shkaktojnë të përziera. Dietologia Claire Barnes shpjegon se çekuilibri i hormoneve ndikon në tretje, oreks dhe gjendjen emocionale. Përveç kortizolit, edhe hormonet e tiroides dhe estrogjeni luajnë rol.

6. Kapsllëku dhe çrregullimet e tretjes

Kapsllëku i zgjatur shkakton grumbullim toksinash, duke ushtruar presion në stomak e rritur gjasat për nauze. Konsumi i tepërt i alkoolit përkeqëson situatën duke irrituar mukozën e stomakut dhe zorrëve. Profesori David Nut thekson se simptomat mund të variojnë nga fryrja e barkut deri tek të vjellat e mëngjesit.

7. Refluksi gastroezofageal (GERD)

Kur acidi i stomakut ngjitet drejt ezofagut, krijon ndjesi djegieje, shije të thartë dhe të përziera. Teoritë më të reja sugjerojnë se shpesh nuk është teprica, por mungesa e acidit në stomak që shkakton këto simptoma. Nivelet e ulëta të acidit mund të dobësojnë tretjen dhe përthithjen e vitaminave e mineraleve si B12, folatet, hekuri, magnezi dhe zinku, duke ndikuar indirekt në ekuilibrin hormonal dhe mirëqenien e përgjithshme.

8. Shtatzënia

Të përzierat e mëngjesit është ndër shenjat më të hershme të shtatzënisë. Rreth 80% e grave përjetojnë të vjella në tremujorin e parë, më shpesh ndër javën e katërt e të nëntë. Edhe pse nuk është e rrezikshme në shumicën e rasteve, nauza e rëndë e shtatzënisë (hyperemesis gravidarum) kërkon vlerësim mjekësor.

Kur duhet të shqetësoheni?

Nëse të përzierat e mëngjesit shoqërohen me humbje peshe të pajustifikuar, dhimbje të forta barku, të vjella me gjak ose marramendje të theksuar, është e rëndësishme të kërkoni ndihmë mjekësore. Shkaqet mund të variojnë nga çrregullime të lehta të tretjes deri tek gjendje serioze që kërkojnë trajtim të shpejtë.

Exit mobile version