UBT News

Të paktën dhjetë persona kanë vdekur nga shpërthimi i një vullkani në Indonezi

Të paktën dhjetë persona kanë vdekur nga shpërthimi i vullkanit Levotobi Laki-laki në Indonezinë lindore.

Vullkani Laki-laki, i vendosur në ishullin Flores, shpërtheu të dielën në orën 23:57 me orën lokale, duke nxjerrë lavë të kuqe të zjarrtë, hi vullkanik dhe shkëmbinj të nxehtë deri në një lartësi prej 2000 metrash.

Autoritetet në Indonezi e kanë ngritur statusin e vullkanit në nivelin më të lartë, kjo është arsyeja pse banorët e disa fshatrave aty pranë janë evakuuar, njoftuan sot zyrtarët, sipas Reuters.

“Pas shpërthimit ka pasur edhe ndërprerje të energjisë elektrike. Më pas ra shi, pasuar nga vetëtima e fortë, e cila shkaktoi panik të madh tek njerëzit që ndodhen afër vullkanit”, tha Hadi Wijaija, zëdhënës i Qendrës për Vullkanologji.

Shpërthimi i këtij vullkani preku katër fshatra aty pranë, banorët e të cilëve u evakuuan, por, siç raportohet, dhjetë persona humbën jetën, sipas ANSA.

Llava e zjarrtë dhe gurët e nxehtë goditën fshatrat deri në shtatë kilometra larg kraterit dhe ndër të tjera u dogj një manastir katolik.

Fshatrat më të afërt me malin Levotobi u mbuluan plotësisht nga hiri vullkanik dhe autoritetet vendosën më pas të evakuojnë banorët e fshatrave dhjetë ose më shumë kilometra larg qendrës së shpërthimit.

Exit mobile version